BURREL-Një 48-vjeçar është futur në telashe me policinë, pasi në gjendje të dehur ka kanosur një grua, ndërsa më pas është asidentuar me një automjet. Ngjarja në fjalë është regjistruar në Burrel.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Shkëlqim Milkurti, banues në Lis, Mat, (i dënuar më parë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”) akuzohet se në qytetin e Burrelit ka kanosur shtetasen me inicialet L.B. Por siç duket ai nuk e ka ndalur me kaq, ndërsa teksa drejtonte automjetin e tij tip ‘Mitsubishi’, në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar, ndërsa është larguar nga vendi i ngjarjes. Më pas ai është përplasur me një automjet tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin Y.P, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet do ti referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprat penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Mosbindje ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë” dhe “Kanosje”.(ed.me/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re