Ish-mjeku i ekipit kombëtar të gjimnastikës amerikane, Larry Nassar, është qëlluar disa herë me thikë gjatë një zënke në qeli, raporton BBC.

 

59 vjeçari i dënuar me 175 vjet burg për abuzim dhe ngacmim seksual të gjimnastëve, ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme pas sulmit të së dielës.

 

Ai u godit me thikë dy herë në qafë, dy herë në shpinë dhe gjashtë herë në gjoks. Asnjë personel apo i burgosur tjetër nuk u lëndua në incident.

 

Nassar pranoi se kishte sulmuar seksualisht atletët ndërsa punonte me programin e Gjimnastikës në SHBA dhe Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

 

Ish-mjeku, i cili ka vuajtur dënimin në një burg federal në Florida, gjithashtu u deklarua fajtor për posedim të pornografisë së fëmijëve. Më shumë se 330 gra dhe vajza në USA Gymnastics dhe Michigan State University kanë akuzuar Nassar për abuzim seksual.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re