TIRANE- PD publikoi dëshminë e bashkëpunëtorit X, i cili ka zbuluar identitetin dhe ka treguar njohjen me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Dëshmitari Albert Veliu thotë se Agron Xhafaj e braktisi në kohën kur ai vuajti dënimin në 7 vite burg në Itali në vitin 2005 kur u kap me kokainë.

“Quhem Albert Veliu, 51 vjeç. Kam qenë në Itali, kam punuar tërë jetën në det, ’93-’99, në 2000 isha në Itali me grupin e Agron Xhafaj, deri në vitin 2002. Shisja kokainë në Itali”- ka thënë ndër të tjera dëshmitari X që tashmë ka identitet.

Por sipas një njoftimi të policisë në vitin 2013, Albert Veliu është ekstraduar nga Italia për në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga gjykata e Vlorës në vitin 2008 me 3 vite burg për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike.

Njoftimi i policisë në 16 gusht 2013:Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Albert Eqerem Veliu, vjeç 46, lindur në Vlorë.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip Volskwagen Golf, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

(d.d/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re