Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, i cili është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Apelit, ka kërkuar lirinë me kusht.
Kërkesën, Salianji e ka bërë te Gjykata e Fierit.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Ndërkohë më 26 shtator, Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndërsa ky i fundit e quajti procesin të montuar dhe veten si të dënuar politik.
“Jam i dënuari i parë politik në këto 34 vite pluralizëm. Ky është dënim politik, njësoj si agjitacioni dhe propaganda dikur,” tha Salianji. “Unë nuk kam bërë një betejë për të vjedhur dhe për të vrarë, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës,” deklaroi ai, duke shtuar se është i disponueshëm që ta kryejë dënimin në çdo lloj burgu.
Prej 26 shtatorit të këtij viti, Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit duke kryer dënimin.