Një 39-vjeçar, i dënuar nga GJKKO për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit, është deportuar nga Spanja.
Kreshnik Haxhiaj u arrestua në Spanjë dhe ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse në vitin 2024, GJKKO ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Deportimi”.
Operacioni nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe me Policinë e Spanjës.
Deportohet nga Spanja, një shtetas i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të DPPSH-së dhe me Policinë e Spanjës, Drejtoria e Antiterrorit finalizoi operacionin “Deportimi”, gjatë të cilit u deportua nga Spanja, shtetasi Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç.
39-vjeçari i kapur në Spanjë, ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse në vitin 2024, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Kush është Kreshnik Haxhiaj
Kreshnik Haxhiaj rezulton me precedentë penale për vrasje. Ndërsa autoritetet shqiptare bënë kërkesë Spanjës në vitin 2022 për ta ekstraduar, pas mesazheve që ky i fundit bënte në FB drejtuar autoriteteve të ndryshme, përfshirë presidentin dhe kryeministrin, ku thoshte: “Kush mendoni se ka guxim të shpërthejë bombat?!”.
Faktet datojnë nga marsi i vitit 2021 kur i dënuari postoi në profilin e tij në Facebook: “Selam aleykum kush mendoni se ka guxim të ndezë bombat!? Për të filluar një nga një. Nga Qendra e Paraburgimit 313, Jordan Misja, drejtori, shefi i policisë, avokati, edukatorja, punonjësja sociale, Avokati i Popullit, Ministri i Drejtësisë, agjentët e policisë gjyqësore, prokuroria, gjykatat, kryeministri, presidenti”.
“Secili prej këtyre,” vazhdoi ai, “i ndihmuar nga SHKB Elhamdulilah, unë jam mysliman dhe e njoh Allahun dhe i frikësohem vetëm atij. Ndërsa krijesat e tij nuk mund të më prekin as një fije floku, sepse më mjafton vetëm Allahu. Dhe sa mbrojtës i mirë është Allahu, me emrin e tij nuk ka njeri që mund të të lëndojë, sepse unë besoj në të.”
Kreshnik Haxhiaj banonte në qytetin e Tropojës dhe në maj të vitit 2021 ishte larguar nga territori shqiptar.