I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Sirinë, James Jeffrey, ka udhëtuar për një turne gjatë të cilit do të vizitojë Turqinë, Katarin dhe Arabinë Saudite, raporton AA, .

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Jeffrey prej sot deri më 23 tetor me zyrtarët e këtyre vendeve do të bisedojë për situatën aktuale në Sirinë e kapluar nga lufta.

Në njoftim theksohet se gjatë vizitës Jaffrey në Turqi do të bisedojë edhe me përfaqësuesit e opozitës siriane dhe organizatat joqeveritare.

“I dërguari Jeffrey do t’ju përcjell bashkëfolësve se SHBA-të edhe më tej janë të përkushtuar në kërkimin e zgjidhjes politike të krizës siriane përmes respektimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ka të bëjë me këtë çështje”, theksohet në njoftim.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu theksuan se Jeffrey edhe njëherë do t’i paralajmërojë liderët e rajonit se çfarë do operacioni ushtarak në Idlib të Sirisë do të shkaktonte rritje shtesë të tensioneve në rajon dhe kërcënon jetën e civilëve.

Në njoftim më tej theksohet se Jeffrey do të mbështesë edhe të dërguarin special të OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, në procesin e formimit të Komitetit për kushtetutën e re të Sirisë.

Jeffrey është ish-ambasador amerikan në Ankara dhe njohës i mirë i situatës në këtë rajon. Në fillim të muajit të kaluar, në cilësi të dërguarit amerikan për Sirinë, vizitoi Izraelin, Jordaninë dhe Turqinë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re