I dërguari i partisë së Angela Merkel për Shqipërinë kërkon që të zbardhet sa më shpejt çështja Xhafaj.

Reporteri i Grupit të CDU-së tha se qeveria shqiptare duhet të sqarojë akuzat e hedhura nga opozita ndaj ministrit të Brendshëm.

Madje Thorsten Frei, tha se për këtë çështje duhet një hetim i pavarur.

Ai, në një intervistë për Panorama tha se Gjermania do të mbledhë të gjithë informacionin për të formuluar qëndrimin për çështjen e negociatave.

“Unë e ndjek rastin me vëmendje të madhe. Por në fund nuk mund ta gjykoj atë ligjërisht.

Duke marrë parasysh zbatimin e ligjit, është e rëndësishme se si e bëjnë këtë gjykatësit shqiptarë.

Kjo në fund të fundit na tregon neve se sa serioze është qeveria shqiptare në zbatimin e ligjit dhe  kjo është një çështje besueshmërie.

Akuzat e opozitës ndaj Xhafajt janë shumë serioze. Mbi të gjitha, duhet të jetë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpejt. Vendimtare për mendimin tim është sjellja e vetë ministrit.

Duhet të jetë e qartë se ai nuk e ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë e tij dhe kjo kërkon një hetim të pavarur.

Sipas mendimit tim, hapja e negociatave për anëtarësim duhet që në radhë të pare të varet nga përmbushja e kushteve të Shqipërisë.  

Kjo vlen veçanërisht për çështjet e sundimit të ligjit ose për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të famshmit të mos trajtohen më mire.

Ne do të mbledhim të gjithë informacionin në dispozicion, do të përpilojmë një tablo të përgjithshme, si dhe do të formulojmë rekomandimin tonë, në përputhje me rrethanat”, tha Frei. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re