Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega kanë sjellë edhe 3 medalje të tjera për Shqipërinë nga Kampionati Ballkanik i Atletikës në Stamboll.

 

Për këtë sukses, kryebashkiaku Erion Veliaj iu shprehu mirënjohjen dhe ftoi të rinjtë që t’i ndjekin si modele frymëzues.

 

ERION VELIAJKRYETAR I BASHKISE TIRANE

“Luiza dhe Izmiri kanë pasur një sezon fantastik dhe e kanë nisur me këmbë të mbarë vitin 2022 – një vit i veçantë për ne sepse Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Dy të rinjtë tanë model, kanë marrë medalje ari, respektivisht në kërcim së gjati dhe në garën 3 mijë metra, ku jemi shpallur kampionë Ballkanikë – Luiza për herën e tetë dhe Izmiri për herë të gjashtë. Çunat dhe gocat e Tiranës kanë dy modele për të ndjekur – një vajzë të mrekullueshme dhe një djalë të mrekullueshëm. Jam super krenar për ju! Fakti që vini me këto medalje në vitin ku Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, do të thotë se çdo investim te rinia është një investim që ia vlen.”

 

Veliaj veçoi investimet e deritanishme në sport dhe shtoi se do të vazhdojë me të njëjtin ritëm për të shtuar terrenet sportive në kryeqytet, për t’u shpërblyer më pas.

 

ERION VELIAJKRYETAR I BASHKISE TIRANE

“Me rezultatet e Luizës dhe Izmirit provojmë se aty ku kemi investuar, jemi shpërblyer. Përmirësimi i statusit financiar, reformimi i Sport Klub Tirana me një lidership të ri, terrenet e reja, qoftë “Fahrie Hoti”, qoftë Parku Olimpik, qoftë pistat e reja që po bëjmë në natyrë – të gjitha këto ia kanë vlejtur. Kjo do të thotë se reforma në sport është e rëndësishme për çdo federatë. Sot ne kemi një marrëdhënie speciale me Federatën e Atletikës dhe historitë e suksesit të Luizës dhe Izmirit janë dëshmi e kësaj. Kemi një super histori me volejbollin dhe basketbollin, ekipet e Tiranës kanë dalë të parët në vend dhe po përgatiten për ndeshjet ndërkombëtare. Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe me futbollin, por shumë shpejt do të kemi lajme edhe për notin, ku do marrim në dorëzim pas 20 vitesh, të gjitha pishinat te zona e Liqenit.”

 

Duke vlerësuar Bashkinë e Tiranës për mbështetjen, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj konfirmuan se objektivi i radhës janë Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re