Festivali i 58-të i këngës në RTSH do të shoqërohej me polemika të
shumta përsa i takoi përzgjedhjes së këngës fituese; fitorja diskutohej
mes konkurrentes Arilena Ara dhe Elvana Gjatës.
Nisur nga votimi i jurisë, e cila përbëhej nga anëtarë të huaj dhe
vendas, fitoren e siguroi kënga “Shaj” e Arilenës. Fill pas rezultatit
në fjalë, mbylljes së festivalit dhe publikimi i votave nga juria,
reagime të shumta erdhën veçanërisht sa i takon vlerësimit të Elvana
Gjatës nga anëtarja Mikaela Minga me vetëm 2 pikë.
Fakti që Gjata u vlerësua maksimalisht nga anëtarët e huaj, nxiti në
rrjetet sociale krijimin e një teorie konspirative se votimi nga ana e
anëtarëve shqiptarë ishte i qëllimtë për të favorizuar vetë Arilenën.
Shkrimtarja Rita Petro, anëtare e jurisë në festivalin e RTSH-së u
shpreh se votimi ishte teknikisht i pastër dhe shumë i sinqertë.
“Fillimisht kur na thirrën që do bëheni pjesë e festivalit, nga
drejtori i RTSH-së thashë pse jo, u ndjeva shumë e vlerësuar”, tregoi
Petro duke shtuar se në asnjë moment anëtarët nuk komunikuan me
njëri-tjetrin gjatë dhe pas festivalit.
“Gjithë kohës që kemi qenë në festival bisedat ishin te kënaqësia e
festivalit, duke dëgjuar këngët harroja që isha pjesë e jurisë, edhe
anëtarët e tjerë merrnin kënaqësinë e këngëve. Nuk është diskutuar se
cilat janë preferencat e secilit prej nesh, këtë e them me kompetencë.
Nuk u bë llogari.
Emri i Elvanës as nuk është zënë ndonjëherë as nga anëtarët e jurisë;
edhe kur na mblodhën në dhomë (për të votuar) nuk është zënë në gojë as
emri i Elvanës as i asnjërit këngëtar”, rrëfeu Petro.
Më tej Petro theksoi rëndësinë e një reagimi institucional:
“Nuk ishim ne që ju thamë na merrni në juri, na thirrën e pranuam u
ndjemë të nderuar, duhet një reagim publik institucional, i
organizatorëve, çdo gjë është bërë në rregull. Na vjen keq që na ndanë
juria shqiptare dhe juria e huaj, të bësh ndarjen juria shqiptare nuk
janë të zotët, të korruptuar e kam ndjerë veten të fyer.
Deri për Eurovizion ka kohë që të analizohen faktet, të hetohet, të ngrihet një juri tjetër.”
