Adil Çollaku, vëllai i Haxhi Çollakut të vrarë nga policia në Itali ka treguar zanafillën e konfliktit që 56 vjeçari ka pasur me ish-bashkëshorten.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur” nga Evis Ahmeti, Adil Çollaku thotë se vëllai i tij kishte shkuar për të takuar vajzën e tij, ndërkohë ish gruaja e tij ka njoftuar policinë.
Sipas tij, Haxhi Çollaku është dërguar i gjallë në spital, por si pasojë e hemorragjisë ai ka ndërruar jetë.
“E mësova lajmin nëpërmjet vëllait tjetër. Ishte në momentin kur ishte kthyer nga puna dhe më tha kështu ka ndodhur historia. Ka vajtur të takojë gocën, ka njoftuar policinë, ka ardhur policia dhe në gjaknxehtësi e sipër….as ai vete nuk e dinte historinë.
Vëllai tjetër e kishte marrë vesh nëpërmjet rrjeteve sociale.
Në momentin që ky po ktheheshe nga puna, tha do iki ne spital. Shkoi në spital dhe sa u fut te spitali, nuk e dinim si ishte gjendja, për nja 10 minuta dolën dhe komunikuan lajmin.
Thonë që deri në spital e çuan të gjallë, por nuk mundi të jetojë. Infermieret thanë që bënë gjithçka për ti ndaluar hemorragjinë.
E kishin qëlluar me një plumb në gjoks”, ka treguar ai.
Adili po ashtu thotë se vëllai i tij jetonte në të njëjtën lagje me ish-gruan dhe vajzën dhe shpesh herë përballeshin. Ai ka treguar edhe një episod, kur vëllai i ka folur të bijës dhe asaj i ka kaluar një pikë loti.
“Vëllai dhe ish gruaja e tij jetonin në një lagje. Ai nuk ka pasur qëllime për gruan asnjëherë, por vetëm për gocën për ta takuar. Ai nuk e ka takuar asnjëherë gocën. Gjithë brengat i ka pasur për gocën. Para disa kohësh kur janë takuar në supermarket, goca kishte qenë me të ëmën. I kishte folur dhe në momentin kur i kishte folur asaj i kaloi një pikë loti. Në atë moment e ëma e kishte hequr dhe e futi në makinë. Pas disa momentesh ajo kishte njoftuar policinë. Ai i kishte folur vetëm gocës, jo asaj”, tha Adil Çollaku.
Sipas vëllait të 56-vjeçarit, ata kanë qenë të divorcuar dhe divorci ka qenë problematik.