Skip to content

I ftohti “ngrin” Shqipërinë, Bulqiza pa ujë të pijshëm

I gjithë vendi vijon të jetë në pushtetin e dëborës dhe temperaturave që shkojnë disa grade nën zero.
 
Edhe këtë të enjte mijëra banorë në të gjitha njësitë administrative të Bashkive Dibër e Bulqizë janë të izoluara. Në Klos vijon të mbetet e bllokuar njësia Xibër ku trashësia e dëborës shkon mbi 1 metër.
 
Në Bulqizë, qytetarët po përballen me mungesën e ujit të pijshëm pasi tubacionet kanë ngrirë.
 
Në spital të sëmurët janë detyruar të marrim mjete për ngrohje me vete, pasi kaldaja është jashtë funksionit.
 
Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë është e kalueshme pa problem, pasi firmat kontraktore e pastrojnë dhe kanë hedhur kripë e skorie. Problem mbetet Rruga Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Librazhd qe vijojnë të jenë të bllokuara.
 
Në juglindje mëngjesin e kësaj të enjteje temperaturat që shkuan deri në -10 gradë kanë krijuar probleme në akset nacionale. Për shkak të akullit në rrugë, lëvizja ka qene e vështire.
 
Problem në shumë zona mbetet edhe furnizimi me energji elektrike. Si pasojë e temperaturave të ulëta mësimi është zhvilluar me orare të reduktuara ndërsa në zonat e bllokuara procesi është pezulluar.