Teksa qëndronte në paraburgim si i akuzuar për atentatin ndaj Florenc Çapjes në Elbasan, Shkëlzen Hasanpapaj ka konsumuar një tjetër vepër penale.

Një kontroll i beftë në qelinë e tij në paraburgimin 302 në Tiranë në maj të këtij viti zbuloi një telefon celular “iPhone 6S”. Sendi i ndaluar ka ngarkuar me përgjegjësi penale 22-vjeçarin, duke e dërguar si të pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “futjes dhe mbajtjes së sendeve të ndaluara në burg”.

Në përfundim të gjykimit ai është shpallur fajtor dhe dënuar me tetë muaj burg. Sipas arsyetimit të vendimit, të siguruar nga A2, Hasanpapaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim pas gjetjes së aparatit telefonik.

Gjykata thekson se karta SIM e përdorur nga i pandehuri rezultonte e regjistruar në kompaninë përkatëse telefonike me emrin Jurgen Kurti. Por, nga verifikimi i librit të takimeve të paraburgimit “Mine Peza” nuk rezultonte që ky person t’i kishte ardhur në takim të pandehurit.

Në muajin nëntor, Shkëlzen Hasanpapaj u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Elbasanit për tentativën e vrasjes së Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës në qershor 2016 në Elbasan. Sipas gjykatës, 22-vjeçari ishte autori i breshërive automatike drejt automjetit ku ata udhëtonin në qershor 2016 në Elbasan, duke plagosur Muçën, si edhe një efektiv policie, kalimtar në vendin e ngjarjes.

Pas krimit, Hasanpapaj u largua drejt Holandës ku u arrestua dhe ekstradua në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re