Parlamenti ka votuar pro për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës.

Komisioni Hetimor që do të shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve të mazhorancës është miratuar me votat pro të 98 deputetëve, 5 kundër dhe abstenim 2 deputetë

Kuvendi miratoi gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin dhe nënkryetar Myslim Murrizin.

Më herët kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, renditi arsyet se përse kjo mazhorancë duhet të shkarkojë Metën, ndërsa i bëri thirrje edhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, që ta mbështesë këtë nismë.

“Po si i drejtohet Presidenti popullit ndërkohë që përfaqëson unitetin e kombit: t’i mprehin sëpatat, sfurqet, t’i kenë gati për të dielën…! ‘Të kemi frikë nga Amerika se ka raketa, ka edhe Rusia, ka edhe ky koreano-veriori. Kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale sa ky. Kemi pasur president që i ka shpallur luftë popullit apo president që ka shkaktuar debat për mustaqet, por kurrë si ky.

Ne nuk po shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral, aq edhe Kushtetutës. T’ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë për t’ia lënë turpin Ilir Metës. Thirrja jonë shkon edhe për Lulzim Bashën. Tashmë PD-ja ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re