Ilir Meta ka nisur të dalë nga guacka ku ishte izoluar që pas 25 prillit, kur u poshtëruar nga Edi Rama.

Pasi doli në një konferencë për shtyp kundër Lulzim Bashës dhe pasi shpalli betejën e tij nga studio e Çlirim Pekës, ai ka udhëtuar drejt Prishtinës.

Atje ka shkuar në një universitet, ka mbledhur ca të rinj dhe iu ka treguar se si është kundër “Ballkanit të Hapur”, të dyshes Rama-Vuçiç.

Sipas tij, nisma e “Ballkanit të Hapur” nuk është e njëjtë me Procesin e Berlinit e iniciuar nga kancelarja Merkel, pasi ky i fundit zhvillohet përmes një procesi me garanci, ndërkohë që “Ballkani i Hapur” nxit përçarjen dhe është përjashtues.

“Procesi i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE-së, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues.

Përkundrejt kësaj, Ballkani i Hapur është nisëm përçarëse dhe përjashtuese”, ka deklaruar Meta.

Ai foli me rezerva edhe për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Sipas tij, të dyja vendet kanë firmosur shumë marrëveshje, por niveli i zbatimit lë për të dëshiruar.

Meta kërkoi që të hiqet taksa e vendosur nga shteti shqiptar në Rrugën e Kombit.

“Këto janë marrëdhënie jo vetëm strategjike, por edhe jetike për shqiptarët kudo që janë. Detyra jonë është të mos krijojmë pengesa dhe të çlirojmë vendin nga burokracia. Janë shumë marrëveshje të firmosura, por pak rezultate konkrete.

Do të ketë një takim të ri mes dy qeverive ku do të ketë një bilanc për rezultatet konkrete. Këtë kërkojnë të gjithë qytetarët. Duhet të eliminohen njëherë e përgjithmonë.

Duhet të jetë angazhimi i të gjithëve, taksa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet. E kam thënë dhe më herët. Të ndalosh kalimin duke vendosur pagesën gjatë sezonit turistik është shqetësuese. Shyqyr që ju nuk keni vendosur reciprocitetin”, tha Meta.

Pastaj natyrisht ka takuar edhe Ramushin dhe në darkë ka dhënë edhe një intervistë për një tv në Kosovë.

I izoluar ndërkombëtarisht, Meta po përpiqet të bëhet faktor nga Prishtina, për të nisur betejën e tij të radhës kundër Edi Ramës.

Vetëm se tani që po i mbaron mandati si president, vështirë do ta ketë.

Se kur nuk ia doli ta mundte duke përdorur Presidencën, LSI-në me 20 deputetë, por edhe PD-në e Lulzim Bashës, që sot e akuzon si tradhtar, vështirë se do t’ia dalë me ata katër deputetë që i kanë mbetur nga LSI-ja.

Jo për gjë, por dhe aleatin e tij Sali Berisha ia kanë shpallur non grata dhe mund të ketë të njëjtin fat.

Ndërsa aleatët në Kosovë, njëri-Ramush Haradinaj- ka zero ndikim, ndërsa tjetri-Albin Kurti- ka hallet e veta pas humbjes poshtëruese në zgjedhjet vendore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re