Historia që ylli portugez, Ronaldo, rrëfeu teksa foli për fëmijërinë e tij, bëri mjaft bujë në mbarë mediat botërore.

Ndër të tjera, 5 herë fituesi i Topit të Artë tregoi se kur ishte 12-vjeç s’kishte para dhe shkonte për të lypur hamburgera në dyqanin e McDonalds, pas stërvitjes.

Ai u shpreh se nuk do t’i harronte kurrë 3 vajza të cilat gjithmonë e kanë ndihmuar me ushqim dhe kurrë s’e refuzonin, duke shtuar se po bën ç’mos që t’i gjejë ato.

Ronaldo tha se nëse do i gjente, do t’i ftonte në Torino ose Lisbonë për të darkuar së bashku me të.

Së fundmi, është zbuluar një nga vajzat që ka qenë punëtore e McDonalds, që i dha hamburgera falas futbollistit.

Ajo është Paula Leca, e cila sot është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Në një intervistë për radiotelevizionin Renascenza, ajo tha:

Ata vinin thuajse çdo natë para restorantit ku punoja dhe nëse kishin mbetur hamburgera që ende nuk ishin shitur, ne kërkonim leje nga menaxheri dhe ua jepnim.

Një nga djemtë ishte Cristiano Ronaldo, që ishte ndoshta më i turpshmi nga të gjithë. Kur i kujtoj këto çaste më vjen të qesh. Unë ia kisha treguar tim biri këtë histori, por ai s’më besoi, pasi nuk mund ta imagjinonte mamanë e tij duke i dhënë Ronaldos një hamburger.

Burri im e dinte këtë gjë, sepse ndonjëherë ai vinte natën të më merrte nga puna dhe e ka parë Cristianon. Nëse ai më fton për darkë, do të shkoj me siguri. Gjëja e parë që do të bëja do të ishte t’i them faleminderit dhe gjatë vaktit do të kishim mundësi t’i kujtonim ato kohë.”

Bashkëshorti i Paulës, Jose Costa i tha radios se fatkeqësisht kishte humbur kontaktin me ish-shefen, Edna.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re