Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ndjesë fëmijëve autikë dhe prindërve të tyre, duke thënë se përmendja në fushatë ka qenë krejt pa dashje.
Rama tha se foli për autizëm politik, duke harruar se prej vitesh kjo shprehje konsiderohet e papërshtatshme.
“Mirëmbrëma është vonë por nuk mund të mos e ndaja dot këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore, por të mos kërkosh ndjesë kur gabon nuk është burrërore. Krejt pa dashje kam cenuar sot fëmijët autikë, kam lënduar prindërit e tyre duke folur për autizëm politik. Shprehje që më ka mbetur në mendje nga literatura politike, më ka dalë krejt padashje. Por ja që u desht të gaboja që pastaj të mësoja se prej vitesh konsiderohet e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë.
Prandaj kërkoj ndjesë dhe u garantoj se kam jo respekt, por admirim për fëmijët me aftësi speciale, cka më ka shtyrë të nxis dyfishim e mbështetjes së tyre nga qeveria, gjë që e kam thënë do të jetë pjesë e projektbuxhetit të 2026”, tha ai.
LEXO EDHE: “Je autik nëse zgjedh kënetën”- Rama sulmon burrat që mbështesin Berishën: Kush shkon tek ai është gjysmak
Kreu i qeverisë iu përgjigje edhe kritikëve, duke thënë se më 11 maj do të marrin përgjigjen e merituar.
“Ndërsa lehaqeneve që i kam nga pas që u kapën pas fëmijëve autikë si i mbytur pas fijes së barit për të fituar ndonjë pikë në sytë e prindërve të nderuar, u jap fjalën se do të jetë një motiv më shumë që të shpenzoj çdo energji timen deri më 11 maj që t’u japim mësimin më të merituar për të gjitha prapësitë e tyre të panumërta në kurriz të këtij vendi dhe në kurriz të këtij populli”, tha Rama.