Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me hetimet e call centerave që kanë nisur prej disa ditësh nga SPAK. Prokuroria e Posaçme u ka dërguar letërporosi bankave të nivelit të dytë për llogaritë dhe transaksionet në 2 vite.

SPAK ka bërë po ashtu kërkesë ndaj drejtorisë së tatimeve për bilancin e këtyre bizneseve, ndërkohë kërkesë i është dërguar edhe kompanive telefonike për thirrjet e kryera ndaj numrave të huaj gjerman, holandez, italian dhe francez.

Mbi 1 mijë shtetas të huaj janë mashtruar, ndërsa vlerat e vjedhura të të huajve shkojnë deri mbi 600 mijë euro investime në bursen e rreme për një person. Ndërsa në total vlera e mashtrimeve shkon në miliona euro.

Janë mbi 10 kompani që dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian. Hetimet e SPAK janë duke u kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Prokurorët e SPAK u vune në lëvizje pas kërkesave nga autoritetet  gjermane dhe ato holandeze, pas ankesave nga qytetarët e tyre. Fillimisht hetimet nisën nga këto shtete, ku pas verifikimeve është zbuluar se qytetarët e tyre mashtroheshin nga kompani me IP me qendër në Shqipëri, shkruan faxweb.al.

Kujtojme se javen e kaluar drejtuesi i SPAK, Arben Kraja kreu nje vizitë në holandë, ku bëri një takim me homologun e tij holandez, por nuk dihet se për çfarë kanë biseduar.

Sipas burimeve të rezervuara nga struktura antikorrupsion mësohet se shoqëritë e vënë nën hetim janë call center bursash, punonjësit e te cilëve telefonojnë qytetarë të këtyre shteteve duke iu premtuar se nëse investonin shuma të mëdha në bursë apo në kriptomonedha do të siguronin fitime të konsiderueshme.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re