Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur kërkesë së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, për të dhënë dorëheqjen pas vendimit negativ të Këshillit Evropian për negociatat e anëtarësimit në BE, duke iu referuar shembullit të shefit të qeverisë maqedonase, Zoran Zaev.

Përmes një foto-mesazhi të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, Rama citon kreun e Këshillit, Donald Tusk, i cili pas komunikimit të vendimit, u shpreh se mungesa e unanimitetit të vendeve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave, nuk ndodhi për faj të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. “Nuk pati unanimitet për negociatat! Nuk është faji i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut”, tha Tusk.

Përbri këtij citimi, Rama ka vendosur një fjali nga deklarata e Bashës, i cili e konsideroi moshapjen e negociatave si dështim të qeverisë. Bashkëngjitur postimit, Rama ka shkruar me ironi “PA KOMENT”.

Në një deklaratë të mbajtur paraditen e sotme, Basha tha se Rama duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme, duke mos dhënë detaje nëse opozita do t’ju kthehet ose jo protestave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re