Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar ditën e sotme në Lushnjë. Aleksandër (Genti) Rakipaj u arrestua përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Rakipaj u arrestua pasi Gjykata e Apelit Torino, me vendimin e datës 13 janar 2021, e ka dënuar me shtatë vjet burg, për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve. 44-vjeçarit i kanë mbetur për të kryer edhe katër vite burgim.

Njoftimi i plotë

Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë.

Strukturat e DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe ndaluan një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizat kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Aleksandër (Genti) Rakipaj, 44 vjeç, banues në Lushnjë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, me vendimin e datës 13.01.2021, e ka dënuar me 7 vjet burg, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizat kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”, ku i kanë ngelur për të kryer edhe 4 vite burgim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale.