Skip to content

I kërkuar nga Italia, kapet shqiptari i rrezikshëm në Qafë-Thanë

qafe thane

Policia shqiptare ka arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi”.

Specialistët e Seksionit për trafikun e paligjshëm në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi drejt Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar:
Musli Haliti, 44 vjeç, banues në fshatin Dobroshtë-Tetovë, (Maqedoni).

Arrestimi i tij u bë në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, sepse gjatë verifikimit të dokumentacionit në sistem, shtetasi i mësipërm rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Monzës në Itali, me vendim penal nr 316/2001 E.S datë 04.06.2001, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi” parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Për veprime të mëtejshme, u njoftua ZQK Interpol Tirana me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.