Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin për ekstradimin e Princ Dobroshit në Gjermani, i shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike.

Çështja në apel u shqyrtua pas ankimit të bërë nga Dobroshi, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, refuzimin e ekstradimit nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

Kujtojmë se pak ditë më parë  Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, të cilët janë nën hetim pasuror, si dhe të personave të lidhur me ta.

Dy personat nën hetim, të cilët kanë lidhje krushqie me njëri-tjerin pasi Princ Dobroshi është i martuar me motrën Olsi Syziu, akuzohen nga autoritetet gjermane për trafik droge në kuadër të grupit të organizuar kriminal.

Princ Dobroshi nga Kosova dhe kunati i tij dyshohet se gjatë vitit 2020, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme kokaine, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Princ Dobroshi rezulton i dënuar në vitin 1993 në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës. Ndërkohë SPAK ka sekuestruar 10 llogari bankare të tyre gjendje në total rreth 133.000, tre apartamente në Tiranë, një banesë në Gjirin e Lalzit, një shoqëri tregtare në Lezhë dhe një makunë tip Volvo.

Pasuritë e sekuestruara:

Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;
Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;
Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;
Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;
Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.
 Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.

Njofitmi i Gjykatës së Apelit

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasit kosovar me iniciale P. D, nga ku rezulton se Gjykata Themelore Hamburg, Gjermani, me vendimin nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023,  ka nxjerrë urdhër arresti për shtetasin kosovar P.D , pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtar i një grupi kriminal, sipas Kodit Penal të Republikës së Gjermanisë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 334 Regj.Them, datë 14.02.2024, ka vendosur:

-Të lejojë ekstradimin e shtetasit kosovar P. D nga Republika e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë , për efekt të ekzekutimit te vendimit penal nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023 , të Gjykatës Themelore Hamburg, Gjermani.

-Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga shtetasi me iniciale P. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, refuzimin e ekstradimit nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 09.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali,  vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 334 Regj. Them, datë 14.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

– Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.

Tiranë, më 09.04.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re