Një ëndërr e ndërprerë në mes, në mënyrën më të keqe të saj. Ergys
Brahimaj, një nga punëtorët që humbi jetën nga shembja e skelës, kishte
marrë letrat amerikane dhe shumë shpejt, së bashku me motrën e cila
punonte doktoreshë, do t’iu bashkoheshin prindërve që jetonin në “tokën e
premtuar”.

Nuk kishte nevojë për para, siç shprehen të afërmit e tij, por
punonte sepse nuk donte që të “varej ekonomikisht” nga prindërit. Ata që
e njihnin e përshkruajnë kështu: Ergys Brahimaj, është rasti i rrallë i
një të riu shqiptar që ia vlen të merret shembull. Ishte djalë i një
familje të nderuar dhe respektuar në Gramsh. Prindërit e rritën dhe
edukuan me vlerat më të mira dhe nuk u zhgënjyen kurrë nga ai. Ishte një
djalë me të gjitha virtytet pozitive në kuptimin e gjërë të fjalës. I
dashur, i zgjuar, punëtor, i respektuar dhe kudo që ishte reflektonte
pozitivitet.

Nuk i përtonte kurrë punës. Për atë çdo punë ishte art. Edhe pse nuk
ishte keq ekonomikisht, të afërmit tregojnë se gjithnjë ai shprehej se
“do ta nxjerr vetë lekun”. Asnjëherë nuk ishte bërë barrë e familjes.
Ishte një njeri me dinjitet. Ergysi ishte djali i vetëm i familjes
Brahimi. Ishte i pamartuar. Prindërit dhe një motër jetojnë në Amerikë.
Ndërsa ai dhe një motër tjetër me profesion doktoreshë jetonin në
Shqipëri.

Të dy u kishin dalë letrat për në Amerikë dhe ndoshta shumë shpejt do
të niseshin për atje. E pritën me gëzim këtë lajm. Por nuk ishte e
thënë. Zoti duket se i do pranë njerëzit e mirë. Ai shkoi atje për të
qenë pranë Tij në përjetësi…. Nëse i hedh një sy profilit të tij në
facebook në cover ka vendosur shprehjen me domethënien e madhe “Unë jam
me ju gjithmonë, madje deri në fund të botës”. Ergys Brahimaj u përcoll
sot për në banesën e fundit. Ishte një ceremoni madhështore që rrallë
është parë në Gramsh. Qyteti sot ishte i pikëlluar sepse humbi një nga
djemtë e tij më të mirë, Ergysin i cili mbetet një shembull frymëzimi
për mijëra të tjerë. U prehsh në paqe djali shembullor i Gramshit!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re