Kur Kris Salvatore u shpërngul në një kompleks me apartamente në Hollivud, shpesh herë shikonte një të moshuar që jetonte pranë tij. Mund ta shihte nga dritarja e kuzhinës dhe sa herë rastiste, ai e përshëndeste gruan, një 89 vjeçare e quajtur Norma.

Por kur Krisi mësoi se e moshuara jetonte e vetme, pa fëmijë dhe pa miq, vendosi të bëjë diçka. Krisi nisitë shkojë rregullisht për ta takuar 89 vjeçaren, për ta ndihmuar me punët e përditshme, për të luajtur ndonjë lojë me letra, për të gatuar apo thjesht për një bisedë. Norma ishte e sëmurë me leukemi. Teksa sëmundja përparonte, mjekët i treguan të moshuarës se nuk i kishin mbetur shumë muaj jetë.

I mërzitur për këtë lajm, Krisi, në atë kohë 31 vjeçar, vendosi që të kryejë një tjetër akt mirësie që do të tërhiqte jo vetëm vëmendjen e medias amerikane, por edhe zemrat e falenderimet e qytetarëve.

Krisi, me profesion aktor, i propozoi mikes së tij më të shtrenjtë, që të vinte të jetonte në apartamentin e tij, në mënyrë që të ishte ai që do të kujdesej për të, deri në ditën e fundit të jetës.

“Besoj se mirësia është diçka magjike që mund të shërojë, atë që doktorët nuk munden ta shërojnë. E kam përzemër Normën, është mikja ime më e shtrenjtë e për të do të bëja gjithçka. Ajo vendosi të mos bëjë më trajtime për kancerin dhe është detyra ime që ta bëj të ndihet mirë, në paqe me veten, të mos e lë vetëm”-tregonte Krisi.

Për shpenzimet spitalore, Krisi ngriti një ‘gofundme’ dhe arriti të mbledhë mbi 70 mijë dollarë në bamirësi.

I riu qëndroi krah të moshuarës deri ditën që ajo mbylli sytë, në apartamentin e 31 vjeçarit.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2017, e pavarësisht kohës që kalon, historia e Krisit e Normës përcjell një model, atë të përkujdesjes e dashurisë për një njeri në nevojë… veçanërisht kur fjala është për të moshuarit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re