Kryeministri Edi Rama, mbrëmjen e sotme ka publikuar disa pamje nga Libovova, ndërsa ka kujtuar kohën kur ka qenë në krye të opozitës dhe ka vizituar këtë qytezë.

Rama shprehet se aso kohe, t’u flisje për një të ardhme me turistë të huaj ishte si t’u premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese.

Por, sot, thotë kryeministri, janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane.

Postimi i Ramës:

Kur kam shkuar për herë të parë në Libohovë, si kryetar i opozitës, ishte si një nga shumë qytezat e Shqipërisë që “i kishte harruar edhe Zoti”, me kishën e mahnitshme që po binte në vetmi, rrugën kryesore ku asfalti dukej si lëkurë e shqyer krokodili, shtëpitë si fantazma nën muret e murrme të kalasë së heshtur të Shanishasë dhe njerëzit si hije nëpër diell. Të flisje për një të ardhme me turizëm e për turistë të huaj që do të ngjiteshin deri aty ku edhe gurët kishin marrë rrugën teposhtë, ishte si të premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese për të shijuar natyrën, traditat dhe ushqimet e Libohovës. Sot nuk janë marsianët po janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane, që pret përditë miq të rinj, aty ku deri dje vetëm përcilleshin përmes gropave e pluhurit të mbeturit që shkonin për në banesën e fundit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re