Presidenti i Republikës Ilir Meta ka disa kohë që nuk po gjen qetësi me veten. Madje nuk i bëhet të qëndrojë as në zyrën e tij në Presidencë.

Kreu i shtetit ka shtuar lëvizjet, sidomos në aksin Tiranë-Vlorë dhe më tej në aksin që të çon në Berat, një nga bastionet e LSI në kohën kur ishte vetë kryetar i saj.

Herë ilegalisht dhe i pashoqëruar nga eskorta dhe këshilltarët për të realizuar takime të fshehta, e herë në takime publike, kryefjalë e Ilir Metës ka qënë fushata për LSI dhe mbështetja për atë që ai e quan publikisht “Referendumi i 25 prillit”!

Zyrtarisht dhe teknikisht s’ka referendum në këtë datë, nuk ka asgjë të kërkuar apo të vendosur në KQZ! Madje s’është hapur asnjëherë ndonjë fushatë për mbledhje firmash sipas Kushtetutës e ligjeve tona në fuqi për të zhvilluar ndonjë referendum. Është thjeshtë një dëshirë shpirtërore!

E përmendim Kushtetutën pasi Ilir Meta betohet tre herë në ditë në Kushtetutë, duke e shoqëruar dhe me puthje publike në versionin print të saj. Eshtë e drejta e tij, por ama dhe ta respektojë ngapak, se i shkon dhe “formulës së betimit” që bën në Kushtetutë. Të bëjë Presidentin sëpaku!

Për hir të së vërtetës më 25 prill të këtij viti kemi vetëm zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku partitë politike do të matin forcat për të garuar dhe për të fituar zgjedhjet.

Dhe në këto zgjedhje kemi të regjistruar që nga PS që është partia më e madhe politike në vend dhe që qeveris vendin, duke pretenduar për një madat të tretë, vijuar me PD partinë më të madhe opozitare, e përfunduar me LSI, PR, PDIU, PSD, partitë e reja e kështu me radhë.

Të gjitha këto parti të regjistruara në KQZ për të hyrë në garën e zgjedhjeve të 25 prillit janë përfaqësuar me emrat e kryetarëve, duke filluar nga Edi Rama, vijuar me Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin, Fatmir Mediun, Shpëtim Idrizin, Jozefina Topallin, Astrit Patozin e etj.

Në asnjë cep të listave nuk kemi parë apo të kemi dëgjuar artikulimin e emrit të Ilir Metës si kryetar partie apo udhëheqës i ndonjë lëvizjeje politike, që do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, që vetë kreu i shtetit i cilëson si referendum. Zyrtarisht e themi këtë.

Madje është dhe vetë Ilir Meta i cili, teksa sulmonte gazetën “TemA”, duke e akuzuar se e kishte njehsuar me LSI dhe publikuar fakte se kishte zbarkuar në bazë në takime të fshehta e publike për ta shpëtuar nga “llumi” këtë parti, e ka mohuar të jetë pjesë e LSI apo partie tjetër politike.

Madje ka mohuar videot që tregonin takimet e tij me eksponentë të fortë të LSI e struktura të saj!

Thotë se LSI drejtohet nga Monika, madje ‘nëse trefishon votat e ka problem: Kush e duron atë’!

Presidenti i vendit deklaron sa herë del para mediave se është i vendosur për largimin e qeverisë së Edi Ramës, oligarkëve dhe mbështetësve të tyre nga pushteti në “Referendumin e 25 prillit”!

Madje do kontribuojë deri në vetëmohim për realizimin e këtij objektivi, që do t’i hapte sipas tij vendit rrugën e integrimit, zhbllokimin e institucioneve të kapura nga kjo bandë qeverisëse dhe ndalimin e shpopullit në vend.

Po kë ka pas vetes Ilir Meta, apo kë mbështet për të larguar qeverinë e Ramës e “këtë klikë” nga pushteti, përderisa refuzon në mënyrë kategorike të jetë pjesë e ndonjë partie, refuzon të pranojë se bën fushatë për LSI-në e opozitën që të fitojë këto zgjedhje. Janë në garë partitë për të fituar mandatin e ri qeverisës. Nuk dime të jetë dikush tjetër në këtë “betejë”!

I ngremë këto pytje, pasi një ditë më parë, teksa ishte në kulmin e acarimit me gazetën “TemA”, i pyetur për fushatën elektorale, Ilir Meta tha se është e rëndësishme që të jetë e bazuar në transparencë dhe llogaridhënie, pasi nuk i intereson as fushata dhe as partitë.

Duke u shfaqur si i painteresuar për subjektet politike, ai u bëri thirrje partive që të kenë kandidatë me integritet dhe të mos marrin financime nga oligarkët për të cilët shprehu disa herë qëndrimin kundër.

“Nuk më intereson fushata, për mua është e rëndësishme që fushata të jetë e bazuar në transparencë, ndershmëri, llogaridhënie dhe në debate për të ardhmen, për problemet më jetike që kanë shqiptarët.

Dhe kandidatët të jenë me integritet, mos preken nga dekriminalizimi, partitë të pastrojnë listat dhe mos të bëhen strehë e atyre që pastron partia tjetër.

Më 25 prill prill do jetë triumf i popullit mbi oligarkinë, u bëj thirrje që të mos marrin financime nga ata. Ilir Meta është kundër oligarkëve”, deklaroi Meta. Zyrtarisht, distancim i plotë nga LSI!

Por për Ilir Metën më 25 prill do fitojë populli mbi oligarkinë, ku kryeoligark quan Edi Ramën, si dhe do të vendoset rendi kushtetues e do të çelen negociatat me Shqipërinë.

“Kur flas për përmbysje demokratike e kam fjalën për vendosjen e rendit kushtetues te kontrolli i qytetarit mbi politikën dhe jo të jetë viktimë e politikës e institucioneve që janë të kapur nga një pakicë, prandaj flasim për referendum, jemi në situatë anormale.

Negociatat do të çelen falë referendumit të 25 prillit dhe ky është për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë është në Europë”, thotë Meta. I cili shprehet i bindur se më

më 25 prill, demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë.

“Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit”, thotë Meta, duke rënë në ‘shinat’ normale të logjikës së arsyetimit.

Dhe sërish në të njejtën kohë ngre tonet duke deklaruar se “Referendumi i 25 prillit do përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep e mashtron shqiptarët prej kohësh. Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë”.

Madje bën thirrje ndaj shqiptarëve që “me pasaporta, me karta, me shpata shqiptarët do shkojnë të votojnë më 25 prill, kjo histori ka përfunduar. Kushdo që do t’i demoralizojë, të lidhë kokën me peshqir. Çdo përpjekje për të demoralizuar shqiptarët është e dështuar”.

Njëherësh Meta shfaqet i sigurtë në fitoren e “referendumit” më 25 prill, sa në përgjigje ndaj Ramës që tallet me të duke thënë se “nuk është në rregull nga trutë e kokës”, deklaron se “do t’i kërkoj parlamentit të ardhshëm që të miratojë edhe një ligj, që të kontrollohen të gjithë psiqikisht janë apo jo në rregull nga trutë që nga presidenti, kryeministri etj”.

Pra, me pak fjalë Ilir Meta mbështet humbjen e Ramës dhe fitoren e opozitës, por pa pranuar se është përfshirë në fushatë elektorale për një parti apo grupim partish.

E konsideron Parlamentin e ardhshëm si të komanduar tij, që do të miratojë çdo propozim dhe për President nga populli dhe për kontroll mjekësor të zyrtarëve të shtetit, ndërsa refuzon me të madhe, të jetë drejtues i LSI dhe që bën fushatë për të dhe opozitën.

Në fund të herës, gjithkush mund të pyesë: I kujt është në të vërtetë Ilir Meta?! Eshtë në mbështetje të LSI dhe opozitës, apo një “luftëtar” vetmitar me mantel Presidenti?! /M.Nikaj-TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re