Detaje të reja nga dosja hetimore në lidhje me arrestimin e 30 vjeçares Milena Deraj, e cila mashtroi shoqen e saj Elira Shyti duke i thënë se paratë që do i merrte asaj do i investonte në bono thesari.

Sipas Shytit, ajo i ka dhënë në total shumën prej 225 mijë eurosh. Shumat e parave janë dhënë në 2 transaksione bankare në një bankë të nivelit të dytë. Herën e parë 47 mijë euro dhe transaksioni i dytë prej 20 mijë euro.

Pjesa tjetër e parave janë dhënë dorazi, teksa Milena Derja shkonte i merrte në shtëpinë e shoqes së saj. Sipas dëshmisë së Shytit, shumat e parave dorazi i ka dhënë në vlerat 10, 20 dhe 30 mijë euro, shuma që sipas saj i merrte borxh nga të afërmit.

Pasi Shyti ka kuptuar se po mashtrohej, e ka bindur Milena Derajn për të bërë një deklaratë noteriale që të kishte një dokument për shumën totale të borxhit prej 225 mijë euro.

Shyti ka deklaruar se ka takuar edhe burrin e Milenës, Genci Deraj, që sipas saj punon në Kryeministri. Ky i fundit e ka garantuar që do t’i kthenin të gjitha lekët, madje edhe fitimin.

Ndërsa për rastin e Ferracakëve në Shkodër ka qenë vetë Elira Shyti që ka prezantuar Milena Derajn me një person tjetër të njohur të familjes, Afërdita Ferracaku. Pas takimit të parë, 30 vjeçarja Deraj ka bindur Ferracakun se njeh një avokat të mirë për t’i lehtësuar pozitat në gjykatë Hasan, Shyqyri dhe Abedin Ferracakut. Pas disa ditësh, sipas 30 vjeçares, avokati u ka thënë se me provat e mbledhura nga prokuroria në Shkodër të akuzuarit nuk mund të lirohen nga burgu, por me dhënien e 340 mijë eurove, shpëtonin nga burgimi i përjetshëm, duke kërkuar gjykim të shkurtuar.

Pasi është rënë dakord për dhënien e parave, familja Ferracaku e ka mbledhur shumën për 6 muaj dhe ia ka dhënë Milenës në 3 takime të ndryshme.

Sipas dosjes hetimore, herën e parë takimin e kanë bërë tek lulishtja “1 Maji” dhe është dhënë shuma 80 mijë euro, të dytën po në të njëjtin vend 70 mijë euro, ndërsa herën e tretë janë takuar pranë Bankës së Shqipërisë dhe i ka dhënë pjesën tjetër të mbetur të parave.

Supas deklarimeve, paratë janë dorëzuar nga vetë Abedin Verracaku. Pasi kanë parë që kanë rënë pre e mashtrimit, në aplikacionin “Signal” Abedini i ka dërguar mesazhe kërcënuese Milenës që të mos dalë nga Shqipëria as ajo dhe as djali i saj pa paguar borxhin që u kishte./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re