GJKKO ka dënuar me dy vite burg punonjësin e OSHEE, Arjan Pashaj, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Arjan Pashajt gjithashtu i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh, pasi i ka marrë ryshfet 270 mijë lekë të rinj Zef Gjelajt, pronar i një furre buke.

Gjolaj po ashtu është dënuar nga GJKKO me 8 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

Njoftimi i GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “ Dërgimin në gjyq të procedimit penal me nr. 12/2024, në ngarkim të të pandehurit Arjan Pashaj, për akuzën “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 pragarafi i dytë i Kodit Penal dhe të pandehurit Zef Gjelaj për akuzën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 pragarafi i dytë i Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Irena Gjoka dhe Etleva Deda, me vendimin Nr. 68, datë 19.11.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Pashaj për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Arjan Pashaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 2 ( dy vjet) vjet burgim.
Vuajtja e denimit fillon nga momenti i ndalimit datë 23.01.2024 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të Kodit Penal të pandehurit Arjan Pashaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Zef Gjelaj për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Zef Gjelaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e denimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit në mënyrë solidare.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Tiranë, më datë 19.11.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko