Detaje të reja mësohen nga të shtënat me armë që ndodhën këtë mesditë në qytetin e Elasanit. Burime bëjnë me dije se objektivi i atentatit ka qenë Ervis Çausholli, i cili ka mundur t’i shpëtojë plumbave, me një plagosje të lehtë në dorë.

Çausholli, i njohur ndryshe edhe si “korçari” është një emër mjaft i njohur për policinë në Elbasan, pasi rezulton të jetë i përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale në qytet.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se ai është paraqitur në spitalin e Elbasanit për të marrë mjekim, dhe më pas është larguar sërish prej aty.

Kujtojmë se në këtë konflikt u përfshinë 3 mjete dhe disa persona, ndërsa nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, apo me një atentat të dështuar ndaj Caushollit.

Ky nuk është rast i veçuar sa i takon Elbasanit, që muajt e fundit është kthyer në një vatër të përplasjeve mes grupeve të ndryshme kriminale, që duket se gjenezën e kanë në trafikun e lëndëve narkotike, dhe kontrollin e territorit.

Ndërkohë në një njoftim paraprak, Policia thotë se nuk ka persona të plagosur.

“Rreth orës 11:50 , në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, dyshohet se   gjatë një konflikti  është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjetit. Autori i dyshuar  ka braktisur mjetin dhe është larguar. Deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim as nga spitali dhe as nga qytetarët për ndonjë person  të plagosur.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes,  identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Shërbimet e Policisë po krehin zonën në të cilën dyshohet se mund të jetë fshehur autori  që ka qëlluar me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re