Gëzim Çela, i njohur si Baroni i drogës, pritet të ekstradohet ditën e sotme (7 Mars) nga Kosova në Shqipëri.

Gjykata Themelore në Ferizaj të Kosovës më 27 shkurt vendoni për lejimin e ekstradimit të Gëzim Çelës drejt vendit tonë, për shkak se 56-vjeçari i ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar.

GJKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

 

Njoftimi i ministrisë:

Ministria e Drejtësisë njoftoi më 27 shkurt ekstradimin nga Kosova drejt Shqipërisë të kërkuarit për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, 56 vjeçarit Gezim, (Gëzim) Çelaj alias Çela, I quajtur dhe si “Baroni i drogës”.

Ekstradimi i tij do të bëhet bazuar në një vendimarje të 11 janarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të Kosovës, për lejimin e ekstradimit të thjeshtuar të këtij shtetasi, për shkak se ai ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.

Kërkesa për ekstradimin e Çelës bazohet në një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të tetorit të vitit të kaluar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”

Kush është Gëzim Çela?

Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa.

Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re