Një valë të nxehti po prek pjesë të Evropës Jugore dhe Afrikës veriperëndimore, me potencial për të thyer temperatura rekord në ditët në vijim, raporton agjencia BBC.

Temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë. Në Itali, temperaturat mund të arrijnë pothuajse 49 gradë, dhe një alarm i kuq i motit është në fuqi në 10 qytete, përfshirë Firencen dhe Romën.

Mediat vendase raportuan se këtë javë një 44-vjeçar, i cili po lyente një vendkalim këmbësorësh në afërsi të Milanos, është rrëzuar nga vapa dhe më pas është dërguar në spital ku ka ndërruar jetë.

Disa turistë tashmë janë shembur për shkak të temperaturave të larta, duke përfshirë një britanik jashtë Coloseu-t në Romë.

Nxehtësia edhe gjatë fundjavës

Vala e të nxehtit “Cerberus”, e quajtur sipas përbindëshit me tre koka Cerberus, i gjetur në Ferrin e Dantes, do të sjellë kushte ekstreme gjatë ditëve në vijim.

Temperaturat pritet të arrijnë kulmin të premten, por vapa do të vazhdojë edhe në fundjavë.

Temperatura më e lartë në Evropë prej 48.8 gradë Celsius u regjistrua pranë Sirakuzës në ishullin italian të Siçilisë në gusht të vitit 2021.

Vitin e kaluar, më shumë se 61,000 njerëz vdiqën si pasojë e valëve të të nxehtit të verës në të gjithë Evropën, sipas një studimi të botuar së fundmi në revistën Nature Medicine.

Kjo valë e nxehtë pritet të godasë dhe Shqipërinë, ku përfliten disa qytete ku temperaturat mund të shkojnë në 40 gradë Celsius, si Kuçova, Berati, Elbasani dhe Tirana. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re