Gjeti një çantë me afro 1 mijë euro brenda, por në vend që ta merrte për vete, vendosi të shkonte në polici e të dorëzonte atë që nuk ishte e tij.

Media italiane i ka kushtuar artikull gjestit fisnik të një 30 vjeçari emigrant, me origjinë nga Pakistani. Muhamed Imran shpjegoi për median e shtetit fqinj se kur kishte hapur  çantën kishte gjetur dokumente dhe sasinë e konsiderueshme të parave.

“Çantën e gjeta në mbrëmje rreth orës 10:30. Kur e hapa pashë që kishte para e disa dokumente brenda. Mendova ta dorëzoj menjëherë normalisht, sepse nuk ishte e imja. Kështu më kanë mësuar prindërit e mi”-tregoi Muhamedi.

Autoritetet kanë mundur ta gjejnë shpejt pronaren e çantës, një grua 30 vjeçe me origjinë irakene, nënë e një fëmije të vogël. Gruaja po shkonte për të dërguar paratë për familjen e saj dhe e kishte humbur çantën teksa kujdesej për foshnjen.

Muhamedi tregoi më tutje për median se jetonte në Itali që prej vitit 2018, duke kërkuar azil.

Dy vjet mu deshën për të ardhur, ishte një udhëtim i vështirë dhe i rëndë. Erdha për të kërkuar punë në Itali, e me vete nuk kisha kurrgjë. Momenti më i vështirë për mua ka qenë çasti i kalimit të kufirit në Greqi e Kroaci. Oficerët e kufirit atje më kanë rrahur e më vodhën dhe celularin”-tregoi 30 vjeçari, i cili aktualisht jeton në një banesë sociale për azilantët.

Media italiane shkruan se i riu ka studiuar gjuhën italiane dhe ka arritur të marrë patentë për të ngarë pirunët (mjetet ngarkuese-shkarkuese) nëpër magazina. Por siç thekson media italiane, eksperienca e tij e deritanishme ka qenë negative.

“Punova për Sfera Italia por për shumë kohë, ata nuk më dhanë as pagë. Ende pres të marr 4 muaj rroga. Unë në Firenze ndihem mirë dhe dëshira ime është të punoj”-përfundoi emigranti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re