Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, ka nisur zyrtarisht detyrën si përfaqësues i vendit tonë në Uashington.

Mësohet se Bushati i paraqiti presidentit Joe Biden letrat kredenciale dhe ka qenë Shtëpia e Bardhë e cila ka publikuar fotot ku Bushati shfaqet në prani të Biden, sëbashku me bashkëshorten e tij.

Përmes një reagimi në Facebook, Bushati shprehet se për të është nder dhe privilegj që do të mbajë këtë detyrë të rëndësishme si përfaqësues i Shqipërisë në SHBA.

“Nder dhe Privilegj në këtë Mision të Shenjtë për mua: Ëhite House tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara Sh.T.Z Joe Biden.

E nisim këtë rrugëtim me përkushtimin më të madh për të sjellë më afër popujt tanë e për të forcuar më tej bashkëpunimim strategjik mes nesh🇦🇱🤝🇺🇸.

Mirënjohje ndaj këtij vendi mik dhe aleat, për mbështetjen e palëkundur gjatë momenteve më kritike të historisë sonë🙏🏻.

Sot më fort se kurrë e ndjej peshën e këtij misioni që më është besuar; teksa zotohem në përmbushjen e çdo objektivi drejt progresit”, ka shkruar Bushati.

Kujtojmë se Bushati u dekretua në detyrën e diplomatit që do të përfaqësojë Shqipërinë në SHBA më datë 11 korrik të këtij viti.

Bushati ka qenë më herët deputet i Partisë Socialiste dhe veçse do të jetë ambasador i SHBA-ve, do të jetë edhe ambasador jorezident në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë, Republikën Domenikane, Republikën e Guatemalës dhe në Republikën e Kosta Rikës.

Sjellim në vëmendje se përpara Bushatit, postin e ambasadores së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka mbajtur Floreta Faber.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re