A kemi më shumë gjasa t’i ndihmojmë të tjerët nëse jetojmë në një mjedis të varfër apo nëse jetojmë në një mjedis me burime të bollshme? Një seri prej tre studimesh të kryera mbi 500 persona u përpoqën t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.
Rezultatet e tyre janë mbledhur në një studim përfundimtar të botuar në revistën shkencore “Nature Communications”. Ajo që doli në pah ishte pothuajse paradoksale: ata që jetojnë në mjedise me më pak burime janë më të prirur të ndihmojnë të tjerët sesa ata në mjedise më të pasura, ku mundësitë janë më të mëdha.
“Hulumtimet e mëparshme kishin hetuar gatishmërinë e njerëzve për të ndihmuar, por deri më tani nuk e dinim se një faktor kyç ishte mjedisi dhe konteksti në të cilin ata ndodhen”- shpjegon Todd Vogel, koordinator i studimit.
Në të tre studimet, studiuesit i ndanë 510 pjesëmarrësit në dy grup. Ata me prejardhje të varfër dhe ata me prejardhje të pasur. Atyre iu kërkua të vendosnin nëse do të ndalonin ose jo shikimin e një filmi për të ndihmuar një të huaj, bazuar në shanse të ndryshme shpërblimi.
Grupi me prejardhje të varfër kishte një probabilitet të ulët për të marrë një shpërblim të vogël, ndërsa ata me prejardhje të pasur kishin një probabilitet të lartë për të marrë një shpërblim të madh.
Pjesëmarrësit që e pranuan propozimin duhej ta ndalonin videon dhe të kryenin një aktivitet sfidues, siç është shtrydhja me forcë e një dinamometri dore ose klikimi i shumë kutive në ekran.
Ndryshe nga sa mund të pritej, ata që u treguan më bujarë ishin pjesëmarrësit me më pak mundësi për të marrë shpërblim. Pra ata nga mjediset më të varfra. “Nëse njerëzit janë të ekspozuar ndaj një numri dhe cilësie të lartë mundësish, ka të ngjarë që kjo t’i çojë ata drejt zgjedhjeve më selektive dhe më të menduara mirë (shpesh në interes të vetes)”- shton Vogel.
Gjetjet kanë implikime konkrete për shoqërinë. Hapi tjetër është eksplorimi i kësaj teme duke përfshirë grupe njerëzish që zakonisht nuk janë të prirur të ndihmojnë, si adoleshentët me sjellje antisociale apo të rriturit me tipare psikopatike.
Qëllimi është të kuptohet nëse, duke modifikuar mjedisin dhe mundësitë që ata hasin, mund të ndryshojë edhe qëndrimi i tyre ndaj të tjerëve. /tesheshi.com/



