I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka treguar detaje para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), mbi ekzekutimin e Albi Bashaliut.
Tafani tha se pas vrasjes së Albi Bashaliut, ai ndenji në një shtëpi me qira në Astir së bashku me Laert Haxhiun.
“Unë ndenja me Laertin pasi më kërkonte policia. Morëm një shtëpi me qira në Astir, në emër të një shoqeje të dashurës së Laertit. Pas vrasjes së Elton Mermalit, kemi bërë edhe vrasjen e Albi Bashaliut,” rrëfeu Tafani.
Më pas ai tha se Bashaliu u vra për nder të Lorenc Lalës.
“Kjo vrasje sipas tyre do bëhej për nder të Lorenc Lalës. Ne ishim dakord që nëse ai ishte dakord, atëherë do bëhej (tha Laerti). Vrasja do bëhej në Peqin dhe kishte si qëllim të merrte hak për djemtë e tij”, tha ai.
Tafani tregoi detaje nga dita e ekzekutimit.
“Viktima ishte në një makinë që shiste pula zogj. Mora një makinë me qira në rrugën e Elbasanit dhe shkova në Gjoçaj të Peqinit për të takuar të zotin e hallit, një djalë që e mora në Rrogozhinë. Ai do tregonte ku kishte shtëpinë Albi Bashaliu dhe ku pinte kafenë. Këtij djali i kishin vrarë të atin”, tha ai.