I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është shtruar në urgjencën e QSUT ditën e sotme, nën masa të rrepta sigurie.
Nuredin Dumani
Burime bëjnë me dije se Dumani është transportuar me urgjencë nga ambientet e paraburgimit drejt spitalit, por ende nuk dihen arsyet e saktë të gjendjes së tij shëndetësore, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Autoritetet nuk kanë dhënë informacion zyrtar lidhur me gjendjen apo diagnozën që ka çuar në këtë veprim të menjëhershëm.
Nuredin Dumani është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë në vitet e fundit, i përfshirë në hetime të shumta mbi grupe kriminale të strukturuara dhe ngjarje të rënda kriminale në vend.
Dëshmitë e tij kanë ndihmuar SPAK në çmontimin e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale.
Nuk dihet ende nëse gjendja e tij ka lidhje me probleme shëndetësore të mëparshme apo ndonjë incident të brendshëm në institucionin ku mbahet i izoluar.
Mbetet për t’u parë në orët në vijim nëse autoritetet do të japin një njoftim zyrtar për këtë zhvillim.
Jo më larg se sot Fitim Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, deklaroi se i shumëkërkuari Talo Çela është vrarë në Elbasan.
Në një intervistë, Fitim Dumani u shpreh se Talo Çela është vrarë duke ngrënë bukë nga vëllezërit Çopja, në restorantin që këta të fundit kanë në pronësi në Elbasan.
“Talo Çelën e kanë vrarë duke ngrënë bukë. Në restorant në Elbasan. U vra nga vëllezërit Çopja. Vetë restoranti ishte i vëllezërve. E vranë që mos të fliste. E vranë që të humbnin gjurmët”, është shprehur ndër të tjera, Fitim Dumani gjatë një interviste për gazetarin Flamur Vezaj në podcastin “MaShqip”.
Mes të tjerash ai pohoi se konflikti mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, dikur miq të ngushtë, nisi për një borxh prej 10 mijë euro.
“Janë prish për 10 mijë euro që Altin Ndoci i kishte Dashnorit. Altini ishte ushtar i Talos. Dora e parë që njihej me Çopjat“, tha ai.
Prej rreth 3 vitesh, nuk dihet më asgjë rreth Talo Çelës, i cili është një nga më të kërkuarit e policisë.
Lexo edhe: “E kanë vrarë duke ngrënë bukë!”- Zhdukja e Talo Çelës, vëllai i Nuredin Dumanit tregon kush e eliminoi killerin e shumëkërkuar
