Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Nikoll Sherrnikun, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e Don Boskos ku humbi jetën banakierja Mimoza Paja.

Masa i është komunikuar në qeli teksa ai është i arrestuar që prej gushtit 2022. Sherrniku u kap në një mjet të blinduar teksa lëvizte i armatosur, ndërsa Policia  njoftoi se kishte parandaluar një atentat në atë kohë.

Sherrniku akuzohet se i ka siguruar autorëve të Don Boskos targat e huaja që iu vendosën mjetit tip BMw, me të cilën ekzekutorët kryen krimin e më pas e dogjën.

Targa rezulton të jetë marrë në Gjermani nga Sherrniku, gjë që është konfirmuar përmes letër porosisë së ardhur nga autoritetet gjermane dhe dëshmisë së një shqiptari që ka shpjeguar se Sherrniku ka marrë 3 targa në Gjermani. Këto targa sipas prokurorisë ai i ka ruajtur për t’i përdorur më pas në ngjarje kriminale dhe për këtë shkak ai dyshohet për veprën penale të “krijimit të kushteve për kryerjen e vrasje”.

Vetë ai ka refuzuar të japë shpjegime se cilët janë personat që ai u dorëzoi targën.

Sherrniku është vetëdorëzuar në dhjetor të 2020, pasi akuzohet se i ka dhënë një automjet Brilant Martinajt, i cili në atë kohë u akuzua për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela. Një muaj pasi Brilant Martinaj u ekzekutua në atentatin e mbikalimit të Fushë-Krujës bashkë me dy miqtë e tij, Besmir Hoxha e Dikler Vata, Nikoll Sherrniku u arrestua teksa qarkullonte me municion luftarak dhe automjet të blinduar, ndërsa dyshohet se ishte nisur për të kryer një atentat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re