Një ditë pas arrestimit nga policia është zbardhur dëshmia e Hasan Ferracakut, të mbetur të plagosur gjatë masakrës së Velipojës ku u vranë 4 persona, midis të cilëve dhe vëllai i tij Kujtim Ferracaku.

Hasan Ferracaku ka deklaruar përpara hetuesve se ata kanë debatuar fillimisht me Gocajt në plazh në lidhje me shezlongët dhe në darkë kanë shkuar te hoteli i këtyre të fundit për të biseduar dhe sqaruar debatin.

Sipas tij janë Gocajt ata që kanë qëlluar të parët drejt Kujtim Ferracakut dhe vëllai i tij i është përgjigjur. Ai mohon të ketë qëlluar në vendngjarje.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet ne një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve.

Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë 54-vjeçari, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.

Kujtojmë se një ditë më parë Shqipëria u trondit nga një ngjarje e rëndë në Velipojë ku mbetën të vrarë katër persona. Viktimat e masakrës në Velipojë ishin Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç, si dhe  Musaen Zeneli, të cilët janë konfliktuar për ndarjen e shezlongeve në plazh.

Ndërkohë që vëllai i Kujtim Ferracakut, 54-vjeçari Hasan Ferracaku dhe nipi i tij 17-vjeçar Elmilind Dyli, janë plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re