I infektuari me koronavirus në Kosovë, Artan Hakaj ka treguar eksperiencën e tij me pandeminë. Në një intervistë për “Rreze Dielli’, ai tregoi simptomat e para, të cilat ishin ndryshe nga ato që mjekët kanë bërë me dije deri më tani.
“Më pas përsa i përket simptomave edhe unë si gjithë të tjerët janë munduar të marrë informacione se cilat janë simptomat e para në mënyrë që të jem i informuar, po ato kishin qenë të rreme.
Një ndër to është edhe mbajta e frymës për 10 sekonda. Është gënjeshtër e madhe, unë edhe pse isha i infektuar me virus mund ta mbaja frymën pa problem. Ajo që më detyroi të shkoj në spital ishte një natë që kisha ethe të mëdha.
Thashë nuk do t’i anashkaloj më këto simptoma. Shkova në spital, dhe qëndrova gjithë ditën aty, deri në pritje të rezultateve. Kjo ka ndodhur në 7 prill. Më pak njoftova gjithë të afërmit e mi që kisha koronavirus dhe i thashë që të ruhen,”-tregoi ai.
Më pas, ai ka treguar se nga virusi ishte infektuar edhe bashkëshortja e tij dhe foshnja. Ai shtoi se ndjehej fajtor për infektimin e tyre pasi e cilësonte veten si transportues.
“Edhe vajza tetë muajshe dhe gruaja janë konfirmuar me koronavirus një javë pasi jam konfirmuar edhe unë. Në fakt për këtë kam dalë edhe nga spitali pa u bërë 2 javë qëndrimi atje, kam dalë ditën e tetë, nuk kishte më arsye për të qëndruar në spital.
Ishte shumë e sikletshme që isha unë fajtori që e dija që e kam mbartur virusin dhe e kam transportuar tek ata. Plus nuk kisha mundësi t’i ndihmoja, ishin momente shumë të vështira për një njeri që i mendon gjërat pak më thellë. Por njerëzit e afërt më ndihmuan që të furnizonin me ushqime dhe ilaçe gruan dhe foshnjën 8 muajshe,”– tha Hakaj.
Hakaj gjithashtu ka treguar edhe për periudhën që ai ka kaluar në spital, dhe shqetësimet që ka pasur gjatë kohës kur kishte qënë i shtruar në spital. Një prej tyre ka qenë edhe vështirësia në frymëmarrje për faktin se për shumë kohë ka qenë duhanpirës.
“Unë si duhan-pirës kam përjetuar 50% më shumë vështirësi në spital nga sa mund të përjetoja. Kam patur vështirësi, një natë kam patur edhe zënie të frymëmarrjes. Unë në spital kam qëndruar 8 ditë, pastaj rrahjet e zemrës kam patur të çrregullta, por për fat të mirë nuk ka patur nevojë për aparate për të marrë frymë normalisht,”-shtoi ai.