Shefja e Survejancës pranë ISHP, Eugena Tomini, tha të premten mbrëma në RTSH se në spitale ka ende 20% të kapaciteteve  të pashfrytëzuara dhe se spitali Covid4 nuk është hapur ende. Ajo shtoi se një karantinë si ajo e marsit do të ishte zgjidhja e fundit.

“Puna e autoriteteve sa i përket situatës me pandeminë është e vështirë dhe e komplikuar. Aktualisht janë me dhjetëra njësi në terren që merren me hetimin epidemiologjik. Covid është një shqetësim mbarëbotëror” – tha ajo.

Lidhur me akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha, se spitalet po fshehin vdêkjet e pacientëve të infektuar, Tomini u tregua e prerë. Ajo tha se për rastet e humbjeve të jetëve zbatohet protokolli dhe se nuk ka asnjë fshehje shifrash.

“Si mjeke po ju them se nuk mundemi që të fshehim apo tjetërsojmë një vdêkje për arsye se nga ana ligjore dhe asaj profesionale nuk më lejohet që në mbylljen e kartelës kundrejt morgut të bëj një veprim të tillë. As unë dhe as kolegët e mi e kemi të pamundur ta bëjmë diçka të tillë” – tha Eugena Tomini.

Ajo shtoi se çdo rast shoqërohet me skedën e vdêkjes dhe nga ana tjetër çdo familjar pyetet nëse duan autopsi në rast të dyshimeve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re