Skip to content

“I qëllova me pistoletën që më dhuroi Talo, por nuk më shkrepi arma”, Dumani tregon si e vrau Bujar Çelën

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Nuredin Dumani i cili tashmë është “zbërthyer” nga prokurorët e SPAK, ka rrëfyer se si ai në 17 shtator të vitit 2020 bashkë me Enver Divën dhe Besmir Xhixhën vranë vëllain e Talo Çelës, Bujar Çelën, video të cilën Abc e bëri publike një muaj më parë.

Në dosjen e siguruar nga Abc, Dumani rrëfen se shkak për vrasjen e Bujarit, ishte bërë vrasja e mikut të tij Klevis Kapllani, për të cilën dyshohej se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa.

Dumani thotë se ai bashkë me Enver Divën dhe Besmir Xhixhën pasi kishin marrë informacion nga Eljo Bitri, ishin nisur drejt shtëpisë së Bujar Çelës, por nuk kanë mundur ta kryejnë aty ekzekutimin, pasi u pikasën nga një person që nuk e njihte, dhe u larguan.

Por nga informacionet që kishte e dinte se Bujari e pinte kafen në një lokal ku ndalonin autobusët që niseshin për Greqi, dhe sapo e ka parë drejt tij është nisur Enver Diva, i cili ka qëlluar mbi Bujarin, por ai është ende gjallë, në këtë moment afrohet Dumani i cili nxjerr pistoletën të cilën ja kishte bërë vetë dhuratë Talo Çela, por ajo nuk i ka shkrepur, prandaj ai ka kërkuar që Besmir Xhixha të zbriste nga makina dhe të qëllonte mbi Bujarin me një pistoletë 9 mm, dhe pas vrasjes ata janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës ku kanë djegur makinën që kishin përdorur për të kryer vrasjen, ndërsa armët i kishin hedhur në një kanal në Plepa në Durrës.

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa). Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit. Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam. Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë. Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur. Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz. U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje”, thuhet në dëshminë e Dumanit.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë