17 dhjetor Reparti i Pediatrisë në spitalin rajonal të Beratit ka rilindur pas vitesh të tëra degradimi duke u shërbyer tashmë fëmijëve me standarde optimale.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga transformimi i këtij reparti në spitalin e Beratit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë vizitë tek reparti i pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, që ka rilindur pas vitesh të tëra degradimi, duke u shërbyer me standarde optimale vogëlushëve në nevojë për kujdes shëndetësor, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.

Dr Vladimir Kumaraku, pediatër, shef shërbimi tha për ERTV se “i gjithë reparti i pediatrisë është rikonstruktuar, pasi kjo hapësirë më parë ka qenë e mbyllur”.

“Në repart kemi recepsionin ku qytetarët marrin informacion për çdo mjek, kemi dhomën e vizitave, mjeku roje qëndron këtu dhe pasi përfundon procedurat me fëmijët e sëmurë e kalon në urgjencë ose në repart”, – theksoi dr.Kumaraku.

Dr.Kumaraku u shpreh se “nëse do njiheshit me pamjen e mëparshme të pediatrisë duket që po vijmë në një ambient të ri, që ndryshon jo vetëm ana e paraqitjes, por edhe ana funksionale”.

“Kjo hapësirë është ribërë nga e para, e përshtatshme për shërbimin e urgjencës. Urgjenca ëhstë pajisur edhe me linjat e  oksigjenit duke i dhënë ndihmë fëmijëve të sëmurë”, – tha Dr.Kumaraku.

/k.s/j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re