Brajani prej vitesh punon në motelin me 41 dhoma të babait të tij, një strukturë që ndodhet shumë pranë “Tunelit Lincoln” në New York.

Punën e nisi në vitin 2012 edhe pse prej kohësh kishte refuzuar idenë që të trashëgonte biznesin e të atit.

“Unë bëja turnin e natës, ndërsa në mëngjes ndiqja ëndrrën time për një karrierë në aktrim.”-kujton Brajani.

Por në turnin e natës, numri i njerëzve që vinin në motel ishte farë i pakët. I riu nis të postojë video komike në rrjetet sociale.

“Një ditë mendova se do të ishte diçka e mirë që të lironim disa dhoma falas për këdo që na ndiqte në rrjetin social. E në atë kohë ndodhi dhe pandemia. Nisi karantina, shumë punë u mbyllën e plot njerëz mbetën pa shtëpi. Dua të them, njerëzit nuk kishin mundësi të merrnin shtëpi me qira.”-kujton Brajani.

I riu nis ta reklamojë idenë se kushdo që ka nevojë, mund ta gjejë një dhomë falas tek moteli në pronësi të babait të tij. E që nga ai moment, shumë njerëz që ndiqnin videot komike të të riut, fillojnë të sjellin ushqime e madje edhe para për njerëz të mbetur pa një strehë apo nevojtarë.

“Shumë njerëz kanë ardhur e jo për të marrë një dhomë, por për të më thënë “erdhëm për të marrë një dhomë për një person në nevojë”… kjo është thjesht e jashtëzakonshme”-tregon për CBS Brajani.

E veçanërisht tashmë që është dimër, shumë njerëz të mirë kanë dërguar tek ky i ri pako me dhurata për nevojtarët, ndërsa disa prej këtyre të fundit qëndrojnë prej mëse 1 viti në dhomat e motelit.


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re