Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 17 Janarit 2025, për Sali Berishën, të cilit i rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gjykata konstaton se GJKKO-ja e Apelit dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e kanë marrë në shqyrtim pretendimin e kërkuesit për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur nga Kuvendi, dhe i kanë dhënë përgjigje të arsyetuar për të.
Në vlerësimin e Gjykatës, shqyrtimi i pretendimit për ligjshmërinë e procedurës së ndjekur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e gjykatave që shqyrtojnë masat e sigurimit personal. Për këtë arsye, Gjykata çmon se ky pretendim i kërkuesit nuk është i bazuar.
Po kështu, referuar pretendimit tjetër të kërkuesit se procedura e zhvilluar nga Kuvendi për dhënien e autorizimit ka qenë e paragjykuar politikisht, bazuar në sa u parashtrua më sipër nga aktet e Kuvendit (procesverbalit të Këshillit dhe dy raporteve rekomanduese), Gjykata çmon se edhe pse gjatë diskutimit të anëtarëve të Këshillit, në mbledhjen e këtij të fundit, nga disa deklarata të anëtarëve të atij Këshilli, vërehen nuanca politike në trajtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme ose edhe paracaktimi i mënyrës së votimit të tyre, kjo është e pranueshme në kontekstin e diskutimeve në një institucion politik të përbërë nga përfaqësues të politikës, siç është Kuvendi, dhe nuk do të thotë se dhënia e autorizimit ka qenë e ndikuar politikisht.
Për më tepër që kërkuesi në kërkesën e tij i referohet në tërësi opinioneve/deklaratave dhe pyetjeve të deputetëve anëtarë të Këshillit, por nuk ka treguar dhe nuk ka arritur të provojë se si këto opinione/deklarata ose pyetje kanë paragjykuar vendimmarrjen e Këshillit.
Në arritjen e këtij përfundimi, Gjykata ka parasysh edhe se, siç del qartësisht nga diskutimet në Këshill, qëllimi i deklaratave/pohimeve të deputetëve, në kuadër të procedurës parlamentare për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së kërkuesit, ka qenë arsyetimi lidhur me ekzistencën e kushteve për dhënien ose jo të autorizimit dhe jo përcaktimi i fajësisë ose pafajësisë penale të tij.
Gjykata thekson, gjithashtu, se fakti që procedura parlamentare për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së kërkuesit është vënë në lëvizje për shkak të mospërmbushjes nga kërkuesi të detyrimeve të vendosura më parë nga gjykatat, konkretisht për zbatimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, është një tjetër tregues i rëndësishëm i faktit që ajo (procedura) nuk ka qenë e ndikuar politikisht. Për rrjedhojë, ndryshe nga sa pretendon kërkuesi, Gjykata çmon se procedura e zhvilluar nga Kuvendi për dhënien e autorizimit nuk ka qenë e paragjykuar politikisht dhe pretendimi i tij në këtë drejtim nuk është i bazuar.
Për sa i përket pretendimit tjetër të kërkuesit se në procedurën e zhvilluar në Kuvend nuk ka pasur akte provuese mbi bazën e të cilave mbështetet konkluzioni për ekzistencën e faktit penal në ngarkim të tij, Gjykata vlerëson të theksojë se në procedurën për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit, pra heqjes së imunitetit të tij, nga Kuvendi nuk është i nevojshëm administrimi i të gjithë dosjes gjyqësore në ngarkim të deputetit, por vetëm i atyre akteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se deputeti ka kryer shkeljen për të cilën kërkohet autorizimi, që në rastin konkret janë vendimet gjyqësore që kanë caktuar më parë masat e sigurimit personal ndaj tij dhe procesverbalet e mbajtura nga oficeri i Policisë Gjyqësore, për (mos)paraqitjen e tij sipas detyrimeve të vendosura në ato vendime.
Në këtë rast, Gjykata, bazuar edhe në raportin e Komisionin të Venecias, mbështet qëndrimin e këtij të fundit se organi parlamentar që shqyrton kërkesën për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një vlerësim ligjor të çështjes dhe nuk duhet në asnjë rrethanë të japë qëndrimin e tij për fajësinë ose jo të deputetit përkatës apo bazueshmërinë e procedimit penal. Në këtë rast, duhet të ekzistojë një prezumim themelor se imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit janë të motivuara politikisht (shih raportin e Komisionit të Venecias CDL-AD (2014)001 (maj 2014)).
Pra, në vlerësimin e Gjykatës, Kuvendi, në shqyrtimin e kërkesës për heqjen e imunitetit, nuk duhet të vlerësojë përgjegjësinë penale të deputetit dhe as (pa)fajësinë e tij, por vetëm të sigurohet se ekziston dyshimi i arsyeshëm që ai (deputeti) të ketë kryer shkeljet për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, si edhe që kjo kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të mos jetë e ndikuar politikisht. 58. Në këtë kuptim, Gjykata çmon të theksojë se natyra e vendimeve të marra nga organet politike të Kuvendit, siç mund të jetë në rastin konkret Këshilli, të cilat në vetvete kanë natyrë politike, nuk mund të jetë e njëjtë me natyrën e një vendimi gjyqësor. Për këtë arsye ai jo domosdoshmërisht duhet të plotësojë të njëjtat kritere të një vendimi gjyqësor.
Gjithashtu, Gjykata thekson se edhe pse procedura parlamentare për heqjen e imunitetit duket sikur ndërhyn në parimin e prezumimit të pafajësisë, për shkak se mund të perceptohet si një lloj gjykimi politik për themelin e çështjes së (pa)fajësisë së deputetit, kjo procedurë nuk duhet kurrsesi të ketë natyrën e një procedimi gjyqësor ose t’i ngjajë atij, dhe në asnjë rast organi që zhvillon këtë procedurë nuk duhet të vlerësojë (pa)fajësinë e deputetit të cilit kërkohet t’i hiqet imuniteti, e cila vlerësohet vetëm nga gjykatat.
Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson të ripohojë qëndrimin e saj se imuniteti i deputetit nuk përbën përjashtim nga rregulli, sipas të cilit çdo person që kryen një vepër penale është subjekt i përgjegjësisë penale, që ndiqet nga prokurorët dhe në fund vendoset nga gjykatat e pavarura (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese).
Për këtë arsye, ndryshe nga sa pretendon kërkuesi, Gjykata vlerëson se aktet e paraqitura nga organi i akuzës për dhënien nga Kuvendi të autorizimit për arrestimin e kërkuesit, pra heqjes së imunitetit të tij, duket se sjellin mjaftueshëm të dhëna për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit për cenimin e procedurës parlamentare për heqjen e imunitetit, nuk është i bazuar.