Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ka reaguar në lidhje me djegien në orët e para të mëngjesit të sotëm të automjetit të tipit “Range Rover”, që përdoret prej tij dhe figuron në pronësi të njësisë vendore që drejton.

Në një komunikim në rrugë telefonike me gazetarët e të përditshmes “Mapo”, Leli është shprehur se nuk i intereson ngjarja, pasi ka një problem familjar më të madh.

“Kam në gjendje të rëndë vëllanë tim. Nuk më intereson se çfarë ka ndodhur”, citohet të ketë thënë kryebashkiaku.

Automjeti ka qenë i parkuar poshtë pallatit ku banon shoferi i Lelit, në lagjen “Lef Sallata”.

Deri në këtë pikë të hetimit ka dyshime që zjarri në makinën që përdorej nga Leli të ketë qenë i qëllimshëm.

Policia po heton disa pista, ku një prej tyre është ajo në lidhje me detyrën e Lelit dhe pritet të marrë dëshminë e kryebashkiakut por edhe të pronarit të mjetit tjetër, që është djegur pasi ka qenë i parkuar ngjitur “Range Roverit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re