Skip to content

I shoqëruar nga dhjetra policë, momenti kur Shyti tregon vendin ku hodhi armën që vrau Sofinë, shfaqet i qetë dhe pa maskë. Operacioni për sot përfundon

Ka përfunduar për ditën e sotme operacioni i RENEA-s, për kërkimin e armës me të cilën u ekzekutua biznesmeni 66-vjeçar Behar Sofia.

Polumbarët e RENEA-s do të vijojnë aksionin edhe gjatë ditës së nesërme, deri sa të ketë kontrolle të imtësishme në të gjithë rrjedhën e lumit Lana.

Faxnews ka siguruar videon, ku vrasësi i dyshuar Ernejt Shyti shihet nga afër duke dalë nga makina e Policisë, dhe më pas tregon vendin ku ka hedhur armën.

Shyti u arrestua sot bashkë me 3 persona të tjerët, pasi akuzohen nga policia se kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe janë vrasës me pagesë.

Dyshimet janë se Shyti të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë, pasi emrat e 3 personave të tjerë ka qenë pikërisht ai që ia ka thënë Policisë, pas arrestimit të tij në Malin e Zi.

I riu me origjinë nga Fushë Kruja ishte larguar një ditë pas vrasjes në Malin e Zi, ku punonte si bojaxhi, dhe më pas ra në prangat e Policisë.

Policia njoftoi me heret se ka arrestuar shtetasit: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë, si dhe shtetasin Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Në deklaratan zyrtare të Policisë tuhet se shtetasi Ernejt Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, menjëherë pas kryerjes së ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi.

Mësohet se organizatori i atentatit ka qenë 54-vjeçari nga Fushë Kruja Skënder Vathi, ndërkohë që Leonar Xhixha dhe Xhuljano Visha i kanë premtuar që ti japin Shytit 50 mijë euro për kryerjen e krimit.

Në fazën operacionale nga grupi hetimor janë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike, karta sim etj, që sipas Policisë mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë ngjarje.

Por ajo që mbetet e panjohur është personi që ka paguar të katër të arrestuarit për ekzekutimin e biznesmenit 66-vjeçar, i cili është një personazh me mjaft dritëhije, dhe i dyshuar për trafikimin e heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë.

Vetë Shyti bëjnë me dije burimet, e ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe ka thënë se gjithçka e kishte bërë për para, por ka pak gjasa që ai të çojë drejt porositësve, pasi ai vetë nuk ka qenë në kontakt me ta.

Mësohet se 24-vjeçari kishte punuar për disa muaj si bojaxhi në Malin e Zi, ku dhe më pas u largua të nesërmen e ngjarjes, por ajo që e nxori zbuluar ishin gjurmët e ADN-së që kishin mbetur në rrobat e tij që la pranë Liqenit Artificial, pak orë pas ngjarjes.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb