Ish-prokurori Arjan Ndoji, i cili i shpëtoi një atentati në vitin 2009 teksa ndodhej në automjet me Rrumin e Shijakut, ka shpallur kandidaturën për t’u bërë pjesë e primareve të PD-së.
Kujtojmë që ish-prokurori i shpëtoi atentatit mafioz ndaj tij më 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.
Arjan Ndoj u shkarkua nga vettingu më 6 maj 2022. Ai nuk arriti që të kalonte shkallën e parë të vettingut pasi ju gjetën shkelje në dy shtyllat e verifikimit atë të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale.
NGJARJA
Atentati ndaj Arjan Ndoj ndodhi më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Prokurori po udhëtonte me makinë sëbashku me shtetasin Aleksandër Laho, i njohur ndryshe dhe si “Rrumi i Shijakut”. Nga të shtënat, mbeti i vrarë shoferi i Arjan Ndoj, shtetasi Andi Maloku dhe u plagos Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi
Kujtojmë se për këtë ngjarje është dënuar përjetë Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka qenë personi që ka qëlluar me breshëri ndaj makinës së Ndojt.
SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit.
Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip benz. Gjithashtu policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.
Ramazan Raja, nipi i ish-deputetit të PS-së Rrahman Rraja, u dënua me 9 vite burg, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të qëndrojë 6 vite pas hekurave.
Ndërkohë, Genti Ndërjaku është dënuar me 5.4 vite, Bashkim Haxhia me 4.8 vite, Endrit Sinani me 4.8 vite dhe Julian Pjetri me 4.4 vite.