
Klubi i Juventusit ka nisur lëvizjet e para për të përforcuar sulmin, duke shfaqur interes për sulmuesin polak të Barcelonës, Robert Lewandowski.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, drejtuesit bardhezi kanë kontaktuar rrethin e lojtarit për të kuptuar mundësinë e një transferimi me parametra zero.
37-vjeçari, i cili ka shënuar 14 gola në 34 ndeshje këtë sezon, pritet të mos rinovojë kontratën me katalanasit që skadon në qershor. Edhe pse Barcelona ka një opsion për zgjatjen e bashkëpunimit, gjasat janë që palët të ndajnë rrugët për shkak të pagës së tij të lartë prej 10 milionë eurosh.
Trajneri Luciano Spalletti po kërkon një sulmues me përvojë për të garantuar gola, sidomos pas dështimit të afrimeve të mëparshme si David dhe Openda. Lewandowski po monitorohet edhe nga klube të tjera si Milan, por në skenë mbetet edhe mundësia e një kalimi në MLS për një mbyllje karriere më pak stresuese.
Një vendim përfundimtar nga lojtari pritet të merret vetëm në fund të sezonit aktual. Juventusi shpreson që përvoja e tij ndërkombëtare të ndihmojë në rritjen e nivelit të repartit ofensiv për vitin 2026/27.



