Policia e Tiranës njofton se ka nisur procedimin penal për 6 persona, që ishin dje pjesë e protestës kundër rritjes së çmimeve.

Asnjë prej personave të shoqëruar me dhunë dhe zvarrë nga punonjës të policisë të veshur si civil, nuk është arrestuar, pasi nuk ka pasur prova ndaj tyre se kanë kryer ndonjë shkelje ligjore.

Zakonisht pas protestave, policia arreston një numër të lartë qytetarësh, që më pas lirohen brenda 48 orësh nga gjykata, për shkak të mungesës së provave.

Njoftimi i policisë:

Penguan qarkullimin e mjeteve të transportit, dhe prishën rendin dhe qetësinë publike gjatë protestës së ditës së djeshme, procedohen penalisht 6 shtetas.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 11 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, proceduan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit: E. D., 33 vjeç, R. R., 25 vjeç, B. M., 19 vjeç, L. Xh., 29 vjeç, A. S., 30 vjeç dhe B. M., 20 vjeç.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 11 mars 2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re