TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin e gjyqtarit të Kushtetueses Fatmir Hoxha. Ai nuk ka mundur të kalojë vettingun. Sipas KPK, gjyqtari Fatmir Hoxhaj nuk është i përshtatshëm për të vijuar punën në Gjykatën Kushtetuese.

“Trupa gjykuese pasi mori në shqyrtim të gjithë dokumentacionin, kreu një proces të mirëfilltë, një hetim të thellë dhe të pavarur, dëgjoi pretendimet e përfaqësuesit ligjor më 7 maj.Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese vendosi me shumicë votash shkarkimin e Fatmir Hoxhës”, deklaroi relatorja.

Fatmir Hoxha është gjyqtari i pestë i Kushtetueses që përfshihet në procesin e vetingut, pas Besnik Ymerajt, Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt. Ymeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Prokurori, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e konfirmuar në detyrë deri më tani.

Prej qershorit të vitit 2011, Hoxha ushtronte detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Gjatë shqyrtimit të pasurisë së gjyqtarit, KPK vuri theksin te një pasuri 112 m2 në Tiranë, e cila është blerë në shumën 145 mijë euro. Sipas këtij komisioni blerja e apartamentit nuk justifikohet, pasi për të është deklaruar marrja e një kredie si i pastrehë në vlerën 5 milionë lekë dhe mungon justifikimi i pjesës së tjetër të shumës.

Por sipas avokatit te gjyqtarit Hoxha, klienti i tij ka marre borxh 28 mije euro nga kunati i tij për blerjen e këtij apartamenti. Avokati theksoi se gjyqtari Hoxha ka jetuar në apartamentin e blerë edhe pse nuk kishte shlyer as 1/3 e vlerës.

Një tjetër problematike e konstatuar ka qenë pasuria e deklaruar në vitin 2004, që sipas KPK-së është më e madhe se të ardhurat e tij vjetore. Avokati i gjyqtarit tha se shtesa në pasuri ka ardhur prej parave që i kanë hedhur në dasmë. Për këtë gjyqtari ka vënë në dispozicion të trupës gjyqësore edhe videot e dasmave, por kjo provë nuk është pranuar nga KPK-ja.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re