Arlind Qori nga “Lëvizja Bashkë” doli i treti në zgjedhjet lokale të 14 Majit për bashkinë e Tiranës.

Ai foli për këtë rezultat në një intervistë për Panorama TV duke theksuar se e prisnin faktin se do të merrnin një rezultat më të mirë se kandidati i Partisë Demokratike zyrtare, Roland Bejko.

“Në këtë betejë ideo-politike nuk kemi mundur të bindim të gjithë ata qytetarë që kanë menduar të votojnë për ne. Faktin që ne do të dilnim më mirë se PD zyrtare e prisja. Për faktin se ne jemi një e re që po ngjitet ndërsa ata ishin një e vjetër që po binte. Unë e kam pasur këtë besim sepse shikoja intensitetin e fushatës sonë. Kisha besim te një rezultat i mirë dhe pastaj e vendosin qytetarët sa i mirë dhe deri ku. Unë shpresoj dhe besoj se rezultati ynë do të jetë më i mirë në zgjedhjet e ardhshme. Përvoja jonë elektorale ishte e sapo filluar”, tha ai.

Qori u shpreh se edhe pse nuk kanë pasur reklama televizive apo faktorë të tjerë mbështetës në fushatën e tyre, në raport me kandidatët e tjerë kanë qenë të favorizuar pasi kanë takuar vetë çdo qytetar duke shkuar pranë tyre pa shpenzime por vetëm me ide për qytetin.

“Nga sa kam folur me qytetarët këto ditë, kam kuptuar që shumë qytetarë pa i njohur unë kanë punuar dhe kanë bindur të tjerët. Një njeri që të sheh në televizor fillon dhe bind të tjerët. Këto i kam njohur pas zgjedhjeve. Këtë lloj aktivizmi te qytetarë që nuk i kemi njohur më parë është baza që më bën të besoj për të ardhmen.

Nuk kemi pasur asnjë lekë nga shteti ka ndikuar për mirë. Ne nuk kishim reklama televizive por kishim këmbët tona dhe duke shkuar rrugë më rrugë mesa duket kemi arritur të bindim qytetarët që ne jemi ndryshe edhe në mënyrën e të konceptuarit dhe të bërit politikë.  Unë mendoj se mënyra si bëjmë fushatë ne do të jetë shembull edhe për partitë e tjera. Sepse qytetarët janë të lodhur nga luksi. Politika duhet të jetë shumë e thjeshtë. T’u shpjegosh njerëzve idetë e tua”, deklaroi Qori.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re